Reali drejt titullit, mungon vetëm Benzema


“Merengesit” po kalojnë një formë të shkëlqyer së fundi me 11 fitore radhazi dhe synojnë të rrisin avantazhin ndaj Barcelonës, duke fituar në transfertën andaluziane

Duke qenë se Antonio Amaja është i dëmtuar, Paulao pritet të formojë dyshen në qendër të mbrojtjes me Doradon, megjithatë Ustaritz mund të merret në konsideratë, pas humbjes së fundit të Betisit ndaj Levantes. Ekipi andaluzian, pavarësisht konkurrencës që ka në repartin e sulmit, mund të luajë me Xheferson Montero dhe Xhonatan Pereira në mbështetje të Ruben Kastros në vijën e sulmit, pasi mesfushori i ri, Alehandro Pozuelo, është lënë jashtë këtij takimi.

Reali i Madridit do të jetë pa të dëmtuarit, Angel di Maria dhe Fabio Koentrao, ndërsa Rikardo Karvaljo është i padisponueshëm për shkak skualifikimi, i ardhur prej kartonit të 5-të të verdhë këtë sezon. Gjithsesi, bashkëkombasi i tij, Pepe, është rikthyer nga i njëjti ndëshkim dhe me shumë mundësi do të formojë dyshen qendërmbrojtëse me Serxho Ramosin.

Karim Benzema nuk pritet të luajë, edhe pse është pranë rekuperimit, por mund të ruhet për ndeshjen e mesjavës së ardhshme ndaj CSKA-së së Moskës në Champions. Lasana Diarra dhe Hamit Altintop kanë lënë pas dëmtimet, por asnjëri prej tyre nuk pritet të jetë titullar, teksa Sami Khedira parashikohet të zbresë nesër në rolin e tij si mesfushor.

Statistikat – Betisi ka arritur të kryesojë gjatë pjesës së parë në vetëm 2 prej 12 ndeshjeve të deritanishme në shtëpinë e tyre, ndërsa në 8 të tjera i ka mbyllur 45-minutat e para në barazim. Vetëm Barcelona ka goditur shtyllën më shumë sesa andaluzianët (17 herë), teksa Ruben Kastro shënon numrin më të madh të tyre, në 6 raste, vetëm për vetëm me portierin.

Betisi është i vetmi ekip në La Liga, ndaj të cilit Kristiano Ronaldo nuk ka shënuar asnjëherë. Reali i Madridit ka fituar 3 takimet e fundit ndaj andaluzianëve, me një mesatare prej 4 golash për ndeshje. Ekipi i Mourinjos vjen aktualisht nga 10 fitore radhazi, duke barazuar ecurinë pozitive që po ata vet e kishin vendosur më herët gjatë këtij sezoni. Çdo gol i shënuar jashtë fushe nga “Los Blancos”-it, këtë sezon, ka vlejtur 1 pikë (31 gola jashtë fushe, 31 pikë në transfertë).

Rekordi

Mourinjo, më i suksesshmi pas 100 ndeshjesh

Trajneri i Realit, Hoze Mourinjo, e ka siguruar tashmë titullin e teknikut më të suksesshëm gjatë 100 ndeshjeve të tij të para në historinë e futbollit spanjoll, pavarësisht nga rezultati i ndeshjes së sotme në mbrëmje ndaj Betisit. Portugezi ka fituar 76 nga 99 ndeshjet e tij të para, që kur ka marrë drejtimin e Realit, teksa vetëm 10 ndeshje nga 23 të mbeturat kanë përfunduar në humbje për “Los Blancos”-it.

Mourinjo ka përmirësuar rekordin e vendosur më parë nga trajneri legjendar i Realit, Migel Munjoz, dhe trajneri aktual i Barcelonës, Pep Guardiola, të cilët kanë fituar 70% të 100 ndeshjeve të tyre të para si trajnerë. Fitorja më e thellë nën mbretërimin e tij është ajo 8-0 ndaj Levantes, në Kupën e Mbretit më dhjetor 2010, ku vlen të përmendet dhe fitorja ndaj Barçës në finale, duke ngritur trofeun.