Gjermani-Portugali, statistika rreth duelit

Gjermania do të nisë sot rrugëtimin e saj në Euro 2012. Tre herë Kampionët e Europës do të përballen me Portugalinë në një duel prestigji, ku spektakli dhe golat nuk priten të mungojnë. Trajneri Joachim Loew, një ditë para startit, nëpërmjet strategjive të tij ka përgatitur çdo plan për të dalë fitues jo vetëm nga kjo sfidë, por në të gjitha finalet. Ai paraqet recetat e tij, por nuk ka harruar të ndalet edhe te kualiteti i kundërshtarëve.

"Erdhi momenti ta nisim furishëm këtë Evropian dhe t’i vëmë në zbatim të gjitha forcat tona. Jemi shumë të lumtur që ky moment starton në Ukrainë. Në këtë kampionat vijmë të përgatitur si nga ana fizike, taktike e mentale dhe, mbi të gjitha, jemi të plotë pa mungesa. Mbartim në vetvete një eksperiencë të suksesshme dhe faza përgatitore na ka bërë t’i projektojmë lehtë planet tona. Ashtu si të tjerat, erdhi momenti që të furnizohemi dhe të tregojmë në fushë atë çka dimë ne të bëjmë. Është hera e tretë për mua dhe këtë herë shpresoj të jetë e vërteta", dekalroi tekniku gjerman, i cili do të luajë Europianin e dytë si trajner, përveç "Botërorit 2010″. /albeu.com/


STATISTIKA

• 16 herë janë përballur Gjermania dhe Portugalia. Tetë herë kanë fituar“pancerat” dhe tri herë portugezët, ndërsa pesë ndeshje kanë përfunduar barazim. Në Euro 2008 Gjermania fitoi 3-2, ndërsa në Botërorin 2006, 3-1.

• Miroslav Klose është golashënuesi më i mirë i formacionit aktual të Gjermanisë, me 63 gola, duke u pasuar nga Podolski me 43 gola.

• Ndeshjen e fundit në 2008 e ka drejtuar asistenti Flik, pasi Lëv ishte i pezulluar. Ndaj Portugalisë, Lëv do zhvillojë ndeshjen e 79-të si trajner, teksa ka fituar 53 të tilla. Gjatë kësaj kohe ka nominuar 77 lojtarë, prej të cilëve 52 kanë debutuar.

• Që prej Botërorit 2010 ndaj Spanjës (0-1), Gjermania nuk ka humbur asnjë ndeshje zyrtare, madje i ka fituar të gjitha.

• Portugalia ka humbur vetëm një në tetë ndeshjet e fundit zyrtare (6 fitore, 1 barazim). Iberikët marrin pjesë për të pestën herë radhazi në fazën në grupe dhe në katër të fundit e kanë kaluar atë.

• Kapiten dhe golashënuesi më i mirë për ta është Ronaldo, por shokët e tij të skuadrës te Reali, Ozil dhe Khedira, do jenë kërcënim për të.

• Gjyqtar i takimit do të jetë Stefane Lanoi nga Franca. Për të do të jetë hera e parë që gjykon një ndeshje Evropiani. Së fundmi ai ka gjykuar miqësoren mes Gjermanisë dhe Australisë (1-2).