
"Na pret një ndeshje e vështirë në aspektin psikologjik, pasi dueli i parë i çdo kompeticioni është i ngarkuar emocionalisht. Gjithsesi, ne do të japim sinjale të qarta force, duke realizuar një fitore bindëse. Përballë do të kemi një kundërshtar të fortë, pasi në Europian nuk ka shanse që të kesh ndeshje të lehta. Ata kanë një kundërsulm të shpejtë. Nëse sulmojmë dhe humbasim topin, atëherë të gjithë futbollistët duhet të kthehen prapa për të ndihmuar mbrojtjen", u shpreh Van Marwijk.
Ai zbuloi edhe taktikën e tij për të zbehur forcën e Danimarkës: "Kemi lojtarë që e qarkullojnë shumë mirë topin dhe duhet ta shfrytëzojmë këtë element. Duke dominuar kështu, si rrjedhojë danezët nuk do të kenë mundësi për të rrezikuar në sulm dhe njëkohësisht do lodhen duke bërë presing. Kam besim që do fitojmë bindshëm, madje nuk do të kemi mëshirë para portës. Duhet të shfrytëzojnë thuajse çdo rast të mirë për shënim", deklaroi tekniku hollandez.
Trajneri i "Tulipanëve" është akuzuar nga mediat vendase pasi nuk aktivizon Klaas Jan Huntelaar dhe në vendin e tij preferon Robie Van Persie.