Lusio ikën nga Interi, një hap larg Juves


Prapaskena Drejtori i përgjithshëm i klubit torinez, Bepe Marrota, ishte duke udhëtuar në Varshavë për të folur me mbrojtësin gjerman Mats Humels për një kalim në Torino. Por ndërkohë kishte pasur kontakte me lojtarin brazilian, ku i kishte ofruar atij një vend në ekip. Pikërisht kjo gjë ka bërë që Lusio t’i kërkojë klubit zikaltër që të largohet dhe të dyja palët e kanë zgjidhur kontratën me kompromis. Vetë futbollisti kishte për të luajtur në Milano edhe dy vite të tjera. Duket se te zikaltrit nuk i dinin qëllimet e mbrojtësit, ndërsa oferta e vetme për të zyrtare kishte ardhur nga klubi turk i Fenerbahçes. Por, kalimi te torinezët dhe marrja pjesë në Champions, si dhe një pagë e mirë duket se e joshën brazilianin, që është në fund të karrierës së tij. Nga kjo lëvizje përfitojnë bardhezinjtë, të cilët e marrin futbollistin pa paguar asnjë shifër për kartonin e tij. Te Juvja kjo goditje konsiderohet si e gjetur, njësoj si një vit më parë, kur nga Milani u mor fantazisti Andrea Pirlo që shkëlqeu në kampionat dhe po i mahnit të gjithë në Evropian. Pritet që braziliani të firmosë shumë shpejt me “Zonjën e Vjetër”.
Interi Klubi zikaltër ka lajmëruar se e ka prishur në mënyrë konsensuale kontratën me mbrojtësin Lusio. Ai kishte rinovuar dhe kishte edhe dy vite të tjera për të luajtur me Interin. Por braziliani u kishte kërkuar drejtuesve se kërkonte të largohej për të vazhduar karrierën e tij në një tjetër ekip. Drejtuesit e Interit ishin të informuar se për të interesohej skuadra e Fenerbahçes por, fakti që mediat italiane raportojnë për kalimin e tij te Juventusi, është diçka e papritur. Interi kursen nga prishja e kontratës 14 milionë euro.