Ditët e fundit, Ministria e Mbrojtjes ka regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit edhe “Fk Partizani sh.a”, që është edhe shoqëria në pronësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe që personifikon skuadrës e Partizanit. Dikasteri i mbrojtjes, i cili përgjatë sezonit të shkuar ka pasur nën administrim ekipin e kuq, ka hedhur një hap shumë të rëndësishëm për marrjen në pronësi të tij. Edhe seanca gjyqësore, në të cilën Ministria e Mbrojtjes kërkon kthimin e stemës dhe të emrit nga presidenti Xhani, nuk ka përfunduar ende. Mesa duket kjo nuk e ka stepur këtë dikaster që të krijojë një tjetër shoqëri tregtare të ndryshme dhe me një logo tjetër.
Ndryshimet
Shoqëria Tregtare “Partizani sh.a” ka si aksionerë Albert Xhanin dhe Paro Laçin, të cilët kanë në pronësi edhe stemën me të cilën skuadra e kuqe është përfaqësuar deri në këto momente. Duke qenë se Ministria e Mbrojtjes nuk e ka fituar ende gjyqin, ajo e kishte të pamundur të krijonte shoqëri paralele me të njëjtin emër dhe logo si Partizani. Në këtë mënyrë, ministria është detyruar të ndërtojë një tjetër shoqëri tregtare, të cilën e ka quajtur “Futboll Klub Partizani sh.a”, që ka edhe një tjetër stemë, të ndryshme nga ajo që ka mbajtur Partizani deri në këto momente. Në rast se ministria do ta fitojë gjyqin, atëherë ajo do ta ketë më të lehtë që të ndryshojë stemën që ka regjistruar dhe t’ia bashkëngjisë shoqërisë së saj stemën historike të ekipit. Në rast të kundërt, do të jetë Federata Shqiptare e Futbollit që do të vendosë se cilën prej dy shoqërive do të pranojë në Kategorinë e Parë të kampionatit shqiptar.
Deklarata
Këshilltari i ministrit të Mbrojtjes Arben Imamit, Mentor Beqa, i cili është edhe një nga njerëzit që është marrë më shumë me çështjen e Partizanit, për “Panorama Sport” shprehet: “Regjistrimi tashmë ka përfunduar dhe ne do të fillojmë punën për të ndërtuar skuadrën”. Megjithatë Beqa nuk thotë asnjë emër investitori që do të jetë në krye të skuadrës. “Këtë pjesë do ta shohim më vonë”, – ka përfunduar ai.
Federata nuk merr vendim për kërkesën e Laçit, pret Apelin
Aksionari i skuadrës së Partizanit, Paro Laçi, ka bërë një kërkesë në Federatën Shqiptare të Futbollit për të qenë ai një nga sponsorizuesit e të kuqve për sezonin e ardhshëm futbollistik. Laçi ka deklaruar se është i gatshëm që të bllokojë në bankë 350 milionë lekë për skuadrën si garanci financiare. Një gjë të tillë aksionari ia ka parashtruar Komitetit Ekzekutiv nëpërmjet një kërkese. Megjithatë, organi vendimmarrës në FSHF nuk ka marrë një vendim përfundimtar në lidhje me këtë kërkesë. Burime pranë këtij organizmi kanë bërë me dije se do të pritet më parë vendimi që do të japë Gjykata e Apelit lidhur me çështjen e logos dhe më pas do të vendosë për të ardhmen e një prej klubeve me më shumë tifozë në vendin tonë.
Tifozët kërkojnë takim me përfaqësuesit e ministrisë
Mjaft të shqetësuar për të ardhmen e ekipit të tyre, ditët e fundit, kanë qenë edhe tifozët e Partizanit. Këta të fundit e kanë mbështetur skuadrën sezonin e shkuar edhe në qytetet më të largëta dhe tashmë duan të dinë se cili do të jetë personi që do ta drejtojë klubin për sezonin tjetër. Mësohet se një përfaqësi e Shoqatës së Partizanit do t’u kërkojë një takim përfaqësuesve të Ministrisë së Mbrojtjes, për të mësuar më shumë hapat që po ndërmerren për privatizimin e ekipit të tyre. Deri në këto momente, për Partizanin flitet se është e interesuar një kompani amerikane, megjithëse një gjë e tillë do të konfirmohet në momentin e parë që skuadra do të dalë në ankand. Gjithashtu, edhe aksionari Paro Laçi ka shprehur gatishmërinë për të investuar.
