Shehi “harron” rinovimin me korçarët: Do të flas me drejtuesit pas Evropës…


Një nga lojtarët më të mirë jo vetëm të Skënderbeut, por edhe në kampionatin shqiptar, Orges Shehi, shijon pushimet në Turqi së bashku me familjen e tij. Ndërkohë që nga ana tjetër nuk është në dijeni të sinjaleve apo emrit që qarkullon për të në media për t’u tërhequr nga ndonjë klub tjetër i Superligës. Zv.kapiteni i bardhekuqve tregon se nuk di asgjë se çfarë ndodh në Shqipëri në drejtim të merkatos, ndërsa hedh poshtë çdo aludim për ndonjë ofertë në drejtim të tij. “Nuk më pëlqen ta shoh veten nëpër tituj gazetash për faktin se jam me pushime dhe nuk kam asnjë informacion se çfarë ndodh në Shqipëri. Pas ndeshjeve me kombëtaren, unë jam larguar bashkë me familjen. Por, nuk kam asnjë sinjal a ofertë nga ndonjë ekip tjetër, apo ndonjë informacion për këtë gjë. Tani nuk dua të mendoj për asgjë. Dua thjesht të pushoj dhe të merrem me përgatitjen time fizike për detyrat që më janë caktuar nga trajneri. Fill pas këtyre pushimeve më duhet të rikthehem dhe të udhëtoj si i gjithë ekipi në drejtim të Austrisë për fazën përgatitore për Champions League”, ka deklaruar për “Panorama Sport” mbrojtësi i katërkëndëshit të kampionëve. Sigurisht që në Korçë Shehi është ndierë mjaft mirë në të gjitha drejtimet dhe këtë e ka pohuar vazhdimisht. Në qytetin e serenatave ai thotë se ka gjetur ambientin e duhur sportiv, por dhe një qytet me banorë të kulturuar dhe një klub të mirorganizuar në të gjitha pikëpamjet. Për sa i përket qëndrimit të tij edhe për një sezon te Skënderbeu, kjo mbetet e hapur. Shehi nuk e fsheh që në Korçë i pëlqen, por për këtë do të flasë me drejtuesit e klubit kur të vijë koha e duhur. “Marrëdhënia ime me Skënderbeun tashmë dihet. Me këtë ekip në dy vite kam marrë dy tituj. Tani na duhet të mendojmë për Evropën dhe më pas do të flasim për kontrata dhe gjithçka tjetër. Këto kanë qenë dy sezonet më të bukura dhe të paharruara për mua, por është herët të flasim për kontrata”, ka bërë të ditur Orges Shehi.
Kontratat, 12 lojtarë janë pezull
Te korçarët janë 12 lojtarë pa kontrata, ku përfshihen emra si Shehi, Vrapi, Allmuça, Bratiç, Muzaka, Xhafaj e deri te kapiteni Shkëmbi. Kështu, edhe pse në këtë periudhë të gjithë lojtarët janë me pushime, flitet shumë për rinovime apo edhe largime. Për momentin lojtarët në kontratë janë portieri Marko Milivojeviç, mbrojtësit Ditmar Bici dhe Renato Arapi, mesfushori Dorian Kërçiku dhe sulmuesi Sebino Plaku, pa llogaritur këtu disa lojtarë që vijnë nga akademia (Rezhda, Buleci, Jaupllari, Meçollari, Emini, Kame). Ndërkohë, zyrtarisht të larguar janë vetëm Denis da Silva dhe Bernardo Ribeiro.
Armando Sadiku synohet nga korçarët
Drejtuesit e Skënderbeut janë futur në bisedime për të marrë Armando Sadikun. Burime pranë klubit korçar bëjnë me dije se tashmë këto tratativa kanë filluar, por priten të jenë të gjata dhe mjaft të vështira për shkak edhe të kontratës dhe ofertave të tjera që ka sulmuesi aktual i Shpresave dhe Kombëtares shqiptare. Sadiku ka kontratë me klubin zviceran të Lokarnos, por përveç kësaj kërkohet edhe nga disa skuadra si FC Rostov në Rusi, klub ky që ka bërë një ofertë zyrtare për sulmuesin shqiptar. Pritet sesi do vijojnë tashmë bisedimet mes drejtuesve korçarë dhe sulmuesit.