Frenohet Rubio: Do të flas njëherë me kryebashkiakun Bashën, më pas firma

Pak minuta para se të merrte avionin, më konkretisht në orën 17:00, teksa ndodhej në Madrid, Hulian Rubio u përgjigjet shkurtimisht pyetjeve të bëra nga “Panorama Sport”. Koha ishte e limituar, e ndaj nuk mund të jepte shumë detaje, por në ato dy minuta bisedë rrëfeu diçka rreth vizitës së tij në Tiranë. Trajneri i skuadrës bardheblu, i cili pasi ka arritur një akord paraprak me klubin para se të linte Spanjën dhe të nisej drejt Shqipërisë, me shumë mirësjellje ngriti telefonin dhe na tregoi diçka rreth rikthimit në kryeqytetin tonë. Një marrëveshje është arritur tashmë, por për firmën është herët për të folur. Këtë e sqaron vetë ai, teksa thotë: “Sot (nesër) do të takohem me kryebashkiakun Basha dhe me drejtuesit e tjerë dhe më pas do të vendos”. Dëshira sigurisht që ekziston dhe kjo kuptohet qartë, pasi trajneri pa asnjë ngurrim vendosi të vinte sërish në tokën shqiptare, kësaj here për të folur për një rinovim të mundshëm. “Do vij me vajzën time, Adelën, do të qëndroj dy ditë dhe më pas do të rikthehem në Spanjë”, – ky është plani afatshkurtër i spanjollit. Çfarë do të ndodhë më pas, ende s’i dihet… Mund të ndodhj& që do hedhë firmën mbi kontratë për dy vjet (siç edhe pritet), por ndoshta edhe jo. Kanë mbetur edhe disa pika të vogla për t’u diskutuar dhe në rast se palët nuk do kenë mosmarrëveshje, atëherë Rubion do ta shohim në krye të pankinës kryeqytetase për dy sezonet e ardhshme. Udhëtimi i tij tranzit Madrid-Romë-Tiranë ka marrë fund në orën 23:30, kur edhe ka zbritur në aeroportin “Nënë Tereza”. Lodhja sigurisht që ka bërë të vetën, ndaj menjëherë i është drejtuar shtëpisë për t’u qetësuar, pasi sot në mëngjes duhet të zgjohej herët. Axhenda sigurisht është tejet e ngjeshur, e jo vetëm prej takimeve me drejtuesit më të lartë të Tiranës, duke filluar kryetari i bashkisë, Lulzim Basha, por edhe sepse i duhet të bëjë ciceronin. Duke qenë se është shoqëruar nga e bija, do t’i duhet t’i tregojë vendin se ku babai ka punuar plot 10 muaj. Pas dy ditëve tepër të ngarkuara, të shtunën do t’i duhet sërish të marrë rrugën e kthimit drejt Spanjës së tij. Me firmë ose pa firmë, kjo mbetet për t’u parë…

Shumë emra në merkato, por ende asgjë konkrete
Tirana është në pritje të përgjigjeve. Për momentin ka shumë plane, por asgjë konkrete. Në javët e fundit janë lakuar disa emra te bardheblutë, por sigurisht që s’mund të flitet për afrime. Këto të fundit do të jenë ekskluzivitet vetëm i trajnerit. Sot do të jetë një ditë vendimtare, pasi Rubio është në Shqipëri dhe në rast se rinovon, shumë shpejt do të marrë jetë Tirana e re. Burime pranë klubit kanë zbuluar disa nga preferencat e tij, si Pashaj, Hysa, Ribaj, Sefa, Muçollari dhe Peqini. Emra, të cilët kanë fituar simpatinë e spanjollit, ndonëse jo të gjithë janë të mundshëm. I fundit, pra mbrojtësi elbasanas, tashmë është zyrtarisht pjesë e Kukësit, kështu që kjo mund të quhet zyrtarisht pistë e mbyllur.

Kontratat
Pritet që gjatë ditëve të ardhshme, pra para Kupave të Evropës, klubi të thërrasë futbollistët dhe të nënshkruajë apo rinovojë kontratat. Mirëpo, nga sa mësohet, ka gjasa që paraprakisht vetëm për pjesëmarrjen në Evropë lojtarëve t’u ofrohen kontrata të përkohshme, të cilat nuk shkojnë më shumë se një muaj. Megjithatë, pritet që kjo pjesë të sqarohet pas zyrtarizimit të trajnerit. Vetëm kështu mund të planifikohet Tirana e re.
Përgatitorja
Planet e klubit bardheblu janë të qarta, por paraprakisht pritet që sot ose nesër të vendoset përfundimisht nëse Rubio do të rinovojë apo jo. Në rast se do të arrihet një marrëveshje, me shumë gjasa, ekipi në javën e dytë të qershorit mund të fillojë nga puna. Në fakt, tekniku para se të nisej drejt Spanjës i kishte lënë pushim të tijtë deri më datë 18 qershor, por arritja e një akordi mund ta afrojë datën e rifillimit të stërvitjeve.