Yjet e Evropianëve


Me kontributin që e kanë dhënë për kombëtaret përkatëse, shumë futbollistë e kanë shkruar emrin e tyre në histori të kampionateve evropiane. Pa dyshim, më i miri në histori të këtij evenimenti mund të konsiderohet Michel Platini, falë suksesit që e pati me Francën. Në top 10 bëjnë pjesë edhe emra të njohur si holandezi Marco van Basten, gjermani Franz Beckenbauer etj
Kur kanë mbetur më pak se dy ditë deri tek fillimi i kampionatit evropian ‘Euro 2012’, që do të mbahet në Ukrainë dhe Poloni, ueb faqja goal.com e ka publikuar listën e futbollistëve më të mirë në histori të këtij kompeticioni.
10- Xavi Hernandez (Spanjë)
Njëri prej plejmekerëve më të mirë të të gjitha kohëve, Xavi Hernandez, Evropianin e parë e pati zhgënjyes, kurse i dyti për të ishte sensacional. Mesfushori i Barcelonës nuk luajti fare në ‘Euro 2004’ në Portugali, por katër vjet më vonë në Austri dhe Zvicër ai ishte pa dyshim ylli i këtij evenimenti.
Ai e udhëhoqi ekipin e Luis Aragonesit në triumfin në ‘Euro 2008’, duke realizuar gol në gjysmëfinale ndaj Rusisë, ndërsa luajti rol edhe në golin e sigurisë, që e kishte shënuar Fernando Torres. Një paraqitje tjetër e mirë në Poloni dhe Ukrainë do të bënte që Xavi të ngritet në këtë listë, kur të afrohet ‘Euro 2016’.
9- Peter Schmeichel (Danimarkë)
Ishte pa dyshim njëri prej portierëve më të mirë në histori të futbollit. Danezi luajti në katër evropianë në total, por do të kujtohet për pritjet heroike të vitit 1992, kur i kishte udhëhequr danezët drejt triumfit në këtë kompeticion.
Penalltia e pritur ndaj Marco van Bastenit në gjysmëfinale ishte momenti kyç i karrierës së tij, ndërsa paraqitja brilante ndaj Gjermanisë në finale ishte absolutisht për t’u admiruar. Ish portieri i Manchester Unitedit është vërtet legjendë e Danimarkës, por edhe më larg.
8- Paolo Maldini (Itali)
Mbrojtësi i majtë më i mirë në histori të futbollit, Paolo Maldini ishte model i një lojtari. Këtë e vërteton fakti se në katër evropianët që mori pjesë, ai ishte selektuar në tre prej tyre në ekipin më të mirë. Ai debutoi në futbollin ndërkombëtar si 19 vjeç gjatë fazës së grupeve në Gjermani më 1988, kur e ndali me sukses lojtarin më të mirë të Spanjës, Michel.
Azzurrët zhgënjyen në paraqitjet tjera në Evropian, duke dështuar që të arrinin në tetëshen finale në ‘Euro 96’, por ishin shumë afër suksesit katër vjet më vonë nën drejtimin e Maldinit. Mirëpo, legjenda e Milanit dështoi ta ngriste trofeun në qiell, pas humbjes në finale nga Franca, e cila shënoi në fund me Sylvain Wiltord dhe me golin e artë të David Trezeguet.
7- Dino Zoff (Itali)
Nëse Schmeichel mund të konsiderohet njëri prej portierëve më të mirë në histori, Dino Zoff pa dyshim nuk mbetet aspak prapa. Ish portieri i Juventusit do të kujtohet që e udhëhoqi Italinë në triumfin në Botëror, kur ishte plot 40 vjeç, por rekordi i tij në Evropian ishte po ashtu i jashtëzakonshëm. Në shtatë ndeshje ndërmjet dy turneve, tri prej së cilave shkuan në lojën shtesë, Zoff pësoi vetëm dy gola.
Ai kishte debutuar për Italinë në vitin 1968, në fitoren ndaj Bullgarisë në çerekfinale, ndërsa më pas luajti një rol kyç në gjysmëfinale ndaj Bashkimit Sovjetik dhe në finale ndaj Jugosllavisë.
6- Gunter Netzer (Gjermani)
Kur diskutohet për mesfushorin më të mirë të të gjitha kohëve në evropiane, emri i Gunter Netzer përmendet shpesh. Sidoqoftë, asnjë lojtar nuk mbahet mend ta ketë ‘shkatërruar’ Anglinë në Wembley siç kishte bërë gjermani gjatë Evropianit legjendar ’72 në çerekfinalen e zhvilluar në Londër. Ylli i Borussia Monchengladbachut shfaqi paraqitje të hatashme nga fillimi e deri në fund, duke shënuar nga penalltia në fitoren 3:1.
Netzer e ruajti formën e mirë edhe në gjysmëfinale dhe në finale. Bashkimi Sovjetik nuk pati ‘ilaç’ për të. Ai do të mbahet në mend gjithmonë për kontributin që e dha për Gjermaninë në Evropian.
5- Dragan Dzajic (Jugosllavi)
Nga shumëkush konsiderohet si mesfushori i majtë më i madh në Evropë. Dragan Dzajic ishte lojtari më i mirë në ‘Euro 68’. Kur kishin mbetur vetëm tre minuta deri në përfundim të ndeshjes gjysmëfinale ndaj Anglisë në Firenze, ylli i Crvena Zvezdës e loboi portierin Gordon Banks, duke e shënuar njërin prej golave më të bukur në histori të futbollit për ta dërguar Jugosllavinë në finalen e Romës. Dzajic u shqua edhe në finale, të cilën megjithatë e fitoi Italia.
Një driblues me klas, ai e vazhdoi formën e mirë edhe tetë vjet më vonë, duke realizuar dy gola për 30 minuta ndaj Gjermanisë Perëndimore në Beograd. Sidoqoftë, Gjermania u tregua më e suksesshme pas lojës shtesë, duke ia mohuar talentit të jashtëzakonshëm Dzajic mundësinë që ta fitojë medaljen.
4- Zinedine Zidane (Francë)
Pasi bëri emër në Bordeaux, gjërat e mëdha priteshin nga futbollisti i Juventusit, Zinedine Zidane në Evropianin e parë për të në vitin 1996, por mesfushori ofanziv dështoi të shquhej në atë periudhë me Francën që u eliminua në çerekfinale.
Sido që të jetë, ai ishte legjendë e vërtetë e Les Bleus vetëm katër vjet më vonë në triumfin në Botërorin që u zhvillua në Francë, pas fitores bindëse në finale ndaj Brazilit. ‘Zizou’ shkëlqeu edhe në Evropianin 2000, që u mbajt në Holandë e Belgjikë, ku francezët fituan në finale ndaj Italisë.
Edhe pse ishte pjesë e dështimit të Francës më 2004, ai pati momente magjike dhe shënoi tri gola. Karriera e tij megjithatë nuk përfundoi në mënyrën më të mirë të mundshme, pas gjestit që bëri ndaj Marco Materazzit të Italisë në finalen e Botërorit 2006, të cilin e fituan Azzurrët.
3- Franz Beckenbauer (Gjermani)
Gjermania Perëndimore, e cila triumfoi në Belgjikë më 1972, konsiderohet si ekipi më i mirë që është parë ndonjëherë në evropiane. Lideri i “Die Mannschaft’ pa dyshim që ishte Franz Beckenbauer, futbollisti më i mirë gjerman i të gjitha kohëve.
Ai e udhëhoqi skuadrën gjermane në fitoren ndaj Bashkimit Sovjetik në finale me rezultat 3:0. Katër vjet më vonë, në turneun e tij të fundi, ‘Der Kaiser’ e fitoi një medalje tjetër, pas fitores së madhe ndaj Jugosllavisë dhe pas finales emocionuese ndaj Çekosllovakisë.
2- Marco van Basten (Holandë)
Simboli i fitores së mrekullueshme në ‘Euro 88’ të Holandës ishte Marco van Basten, i cili e mbylli këtë turne me pesë gola. Tregolëshi i tij në fazën e grupeve e eliminoi Anglinë, ndërsa goli i shënuar në minutën e 88-të e eliminoi favoritin Gjermania Perëndimore.
Mirëpo, Van Basten do të kujtohet gjithmonë për atë që bëri në finale, kur shënoi një gol të jashtëzakonshëm dhe të rrallë në stilin volej, më të bukurin në histori të evropianëve, në fitoren ndaj Bashkimit Sovjetik 2:0.
Legjenda e Milanit, Van Basten vazhdoi ta shijonte karrierën edhe katër vjet më vonë, edhe pse holandezët pësuan humbje shokuese në gjysmëfinale nga Danimarka, kur ai e humbi penalltinë vendimtare. Sidoqoftë, ky fakt nuk e rrënon aspak atë që kishte ndërtuar tri herë ‘Topi i Artë’ në evropiane.
1- Michel Platini (Francë)
Asnjë lojtar në histori nuk ishte më i dobishëm sesa Platini në ‘Euro 84’. ‘Fantazisti’ i Juventusit shënoi nëntë gola të shkëlqyeshëm në këtë eveniment, duke përfshirë këtu dy ‘hat’trick’. Ai për Francën ishte sikur Diego Maradona për Argjentinën në Botërorin e dy vjetëve më pas.
Futbollistët e njohur si Luis Fernandez, Jean Tigana e Alain Giresse e patën nderin të luanin me të. Platinisë i ishte dhënë liria të bënte çfarë të dëshironte në fushë dhe ai nuk zhgënjeu asnjëherë.
Ai i çoi në trans francezët falë golit të fitores 3:2 ndaj Portugalisë në gjysmëfinale, pasi realizoi gol në minutën e 119-të. Mesfushori gjenial po ashtu shënoi një gol të bukur nga specialiteti i tij, gjuajtja e lirë, në fitoren 2:0 në finale ndaj Spanjës. Thjesht, ai ishte futbollisti me pasimet më të mira që është parë ndonjëherë, ndërsa do të kujtohet gjithmonë si futbollisti më i mirë i evropianëve.