Lëv lejon alkoolin, cigaret dhe seksin


Cigaret, alkooli dhe seksi do të jenë garnitura e futbollistëve të Gjermanisë në aventurën e tyre në këtë Evropian në Poloni e Ukrainë. Trajneri Joakim Lëv u ka lënë dorë të lirë nevojave personale të futbollistëve të tij, por edhe pse cigaret, birrat, vera dhe shoqëria e të dashurave të lojtarëve do të lejohen, ato natyrisht që do të jenë të limituara, sepse veset e mësipërme rrezikojnë që të dërgojnë ndonjërin prej “pancerave” në shthurje totale.
Takimi me femrat 23 të grumbulluarit gjermanë do të kenë luksin, ndryshe nga disa kolegë të tyre pjesëmarrës që nevojat e mësipërme do t’i kenë të ndaluara, që lodhjen e stërvitjeve dhe ndeshjeve ta shuajnë nën shoqërinë e të dashurave, bashkëshorteve dhe fëmijëve të tyre. Gjithsesi, këto takime do të jenë më të shpeshta vetëm në netët pas ndeshjeve, ose për pak orë pas stërvitjes së pasdites. Dhe nata e para e pasionit mund të jetë pikërisht të dielën, pse jo pas një fitoreje në debutim kundër Portugalisë…
Alkooli Trajneri Lëv kërkon të ketë besim të plotë te lojtarët e tij, aq sa ka lejuar minibaret në dhomat e secilit prej kampionëve që ka marrë me vete në Poloni dhe Ukrainë. Por, nga ana tjetër, sasia e birrave dhe verës gjatë drekave dhe mbrëmjeve do të jetë e limituar, dhe akoma më pak do ketë përpara ndeshjeve.
Cigaret Duhanxhi i deklaruar zyrtarisht është vetëm portieri Tim Vize, por Joakim Lëv nuk do t’i tërheqë veshin askujt që ka dëshirë të pijë cigare të llojeve të ndryshme. Ato do të jenë të ndaluara vetëm gjatë orës së të ushqyerit të futbollistëve në mensë dhe gjatë mbledhjeve tekniko-taktike të skuadrës në ambientet e brendshme.
Rrjetet sociale Por, trajneri i Gjermanisë është i vendosur që kampionëve të tij të mos u mungojë asgjë, aq sa përveç nevojave të mësipërme, ka lënë dorë të lirë edhe në përdorimin e rrjeteve sociale (si Facebook, Twitter etj.), me anë të së cilëve futbollistët do të kenë mundësi të kontaktojnë me fansat, por edhe të shprehin emocionet e tyre pas çdo stërvitjeje apo ndeshjeje.
Të tjerat Lojtarët gjermanë do të kenë mundësi që të dalin nga baza e tyre, por kurrsesi daljet e tyre nuk duhet të zgjasim më shumë se një orë, por më e rëndësishmja, të gjithë duhet të jenë sërish në bazë brenda orës 23:00. Për më shumë, një rregull i detyrueshëm do të jetë veshja, ku gjermanëve do t’u saktësohet “uniforma” çdo mëngjes, me anë të një e-mail-i.
Ja 6 rregullat e Lëvit për ekipin
1 – Takimi me bashkëshortet ose të fejuarat do lejohet gjithmonë pas netëve të ndeshjes dhe pak minuta pas stërvitjeve të pasditeve, por kurrsesi përpara një ndeshjeje.
2 – Minibaret nuk do të ndalohen në dhomat e hotelit, por alkooli do shërbehet i limituar gjatë drekës dhe darkës, por akoma më pak përpara ditës së ndeshjes.
3 – Cigarja është një tjetër luks që gjermanët do kenë, por ajo nuk do të lejohet në mensë gjatë orareve të ngrënies dhe gjatë mbledhjeve tekniko-taktike në hotel.
4 – Rrjetet sociale do të jenë të lejuara, por jo deri në orë të vona të mbrëmjes.
5 – Lojtarët mund të largohen nga hoteli jo më shumë se 1 orë, por ndërkohë do dënohen ata që nuk janë në “bazë” pas orës 23:00.
6 – Gjermanët do jenë të detyruar të vishen të gjithë njësoj dhe “uniforma” e ditës do t’u komunikohet çdo mëngjes.
Gjermanët 300 mijë euro secilit në rast triumfi
Dje, Federata Gjermane e Futbollit ka komunikuar edhe premiot që secili nga futbollistët do të marrë në rast triumfi në Evropianin e Polonisë dhe Ukrainës. Çdo përfaqësues i kombëtares së drejtuar nga Joakim Lëv pritet të përfitojë 300 mijë euro nëse ngrenë kupën. Ndërkohë, kjo shifër do të jetë e ndarë në 50 mijë euro në rast kalimi të grupit, 100 mijë euro për kualifikimin në gjysmëfinale, 100 mijë euro për arritjen në finale dhe 50 mijë të tjera plus nëse e fitojnë kompeticionin. Bastian Shvajnshtaiger me shokë nuk do të fusin në xhep asnjë lek, në rast se dështojnë dhe eliminohen nga faza e grupeve.
“Pa Ronaldon Portugalia nuk të frikëson”
Mbrojtësi i Gjermanisë, Per Mertesaker, e ka gati recetën për të mundur Portugalinë në ndeshjen debutuese. “Në vitin 2006 në Botëror dhe në 2008-ën në Evropian e kemi mundur lehtë Portugalinë, e cila ka emra të mëdhenj sivjet, lojtarë të rinj dhe të talentuar, por që filtri i lojës së saj kalon te Ronaldo dhe ky është problemi i tyre më i madh. Prandaj, nuk është e vështirë t’i mposhtësh ata, nëse arrin të blindosh dhe të nxjerrësh jashtë loje Ronaldon. Pa ofenduar askënd, por kjo kombëtare nuk tremb shumë pa kapitenin e saj. Gjithsesi, ne kemi ende pak ditë kohë për t’u përgatitur më së miri për këtë sfidë të madhe”.