Me një sy tek Olimpiada, Brazili do të nisë sot revolucionin për ta përgatitur kombëtaren për Botërorin e 2014-ës, me një miqësore ndaj Bosnjë-Hercegovinës. Pavarësisht se Mano Menezes ka thërritur një kombëtare mikse për sa i përket eksperiencës, trajneri do të përpiqet të nxjerrë konkluzionet e para se me cilët lojtarë do të shkojë në Olimpiadën e Londrës këtë verë. Ndeshja, e cila do të luhet në St Galen të Zvicrës, është e para për përfaqësuesen e “Seleçao”-s këtë vit. Sulmi është i pari sektor që do të testohet. Menezes ka thërritur Ronaldinho dhe Neymar, por ka lënë jashtë Ricardo Kaka. Trajneri tha se ylli i Realit mbetet një lojtar i madh, por nuk pranoi të jepte shpjegime se përse nuk e grumbulloi.
Skuadra mbërriti në Zvicër që të dielën, por lojtarët që luajnë në Evropë e krijuan grupin e plotë vetëm ditën e hënë. “Do të bëjmë testet tona, por mos harroni se përballë kemi Bosnjën. Një rival që arriti deri në ‘play-off’-et e ‘Euro 2012′ dhe u skualifikua nga Portugalia”, – tha Menezes për ndeshjen.
5 herë kampionët e botës do të luajnë këtë vit edhe kundër Danimarkës, SHBA-së, Meksikës dhe Argjentinës, ndërsa do përpiqen të dërgojnë në Londër një nga kombëtaret më të forta për ta sjellë në Brazil medaljen e artë.
Ndërkohë që Safet Susiç nuk ka kursyer shumë nga yjet e tij për këtë miqësore luksi. Trajneri i Bosnjës ka grumbulluar Edin Dzekon e Manchester C ity dhe Vedad Ibiseviçi të Stuttgart, ndërsa ka kërkuar nga ballkanasit vetëm fitore: “Unë kam marr për këtë miqësore lojtarët më të mirë që kam pasur në dispozicion. Na duhen, sepse luajmë kundër Brazilit dhe do të tentojmë me çdo kusht të fitojmë”.