
Në tetë stadiume të vendit u luajt java e 17-të e Kategorisë së Parë, me sfida interesante, ndërkohë që lufta për “zonën e artë”, që të shpie një kategori më sipër edicionin e ardhshëm, mbtet mjaft e fortë. Kryesimi i Luftëtarit prej javësh, i konfirmuar edhe kësaj here, me fitoren e pastër 3-0 ndaj Himarës, falë tre golave “shkodranë” të, Rraboshtës, dy herë, dhe Ramadanit, e bën skuadrën gjirokastrite më të favorizuarën për t’u rikthyer në Superiore, ndërkohë që bluzinjtë kanë pasur hap pas hapi presionin e debutuesve të Kategorinë e Parë, të Kukësit, por që përnjeherësh synojnë “katin” më të sipërm të futbollit shqiptar. Megjithatë, ndalesa që Burreli u ka bërë të besuarve të trajnerit Shahin Berberi, ka gëzuar disa skuadra. Goli i Prelës, shënuar pak minuta para mbarimit të kohës së rregullt në “Liri Ballabani”, me penallti, ka gëzuar njëherësh disa skuadra. Brohoritjet e tifozëve lezhjanë, në Besëlidhja-Skrapari, të atyre lushnjarë, në Lushnja-Vlora, dhe të ultrasve gjirokastritë, në Luftëtari-Himara.
Kuksianët nuk ia kanë dalë mbanë në transfertën matjane, duke u frenuar pas disa rezultatesh pozitive. Ata janë rritur me pikë tashmë nga Lushnja dhe Besëlidhja. Sidoqoftë, mbështetja e mjaftueshme financiare nga presidenca, me në krye Ramë Gecin, e mban skuadrën verilindore në korsinë e pretendimeve për t’u ngjitur në Superiore (ka edhe një ndeshje të prapambetur me Luftëtarin, në Gjirokastër).
Java e 17-të i gjente në “llogore” të ndryshme dy kryesuesit: gjirokastritët në një ndeshje relativisht të lehtë në shtëpi, që e luajti me Himarën e vendit të fundit, ndërsa kuksianët kishin udhëtuar në Burrel, në një transfertë delikate, sikurse edhe rezultoi, në fakt. Matjanët, të përforcuar jo pak në merkaton e dimrit, me një trajner të ri, shkodranin Elvis Plori, treguan se janë një “kockë e fortë” për këdo në fushën e tyre. Aq më tepër që luanin ndaj një kryesuesi. Tundimi për të “bërë emër” duke ndalur Kukësin, dukej i madh te vendësit, që arritën të triumfojnë me një gol, ardhur pas një penalltie, por që ka vlerën e tri pikëve të arta për matjanët. Rëndësia e kësaj sfide ishte po ashtu e madhe, për kuksianët, që donin të merrnin 3 pikët dhe të mos i ndaheshin Luftëtarit, por s’e kanë superuar dot pengesën e konsiderueshme, Burrelin. Ky i fundit, nga ana e vet, i kishte jetike pikët maksimale, sidomos meqë luante në shtëpi, sepse duhej t’i largohej fundit të ftohtë të klasifikimit. Me fitoren ndaj Kukësit, burrelasit ngjisin disa shkallë në renditje, duke iu larguar vendit të parafundit, që mbanin deri dje.
Lushnja, që mbante vendin e tretë në renditje, i ka “përplasur brirët” me Vlorën në “Roza Haxhiu”. Duke triumfuar në të gjitha drejtimet, si me lojë, edhe me rezultat. Një tripletë e goleadorit Canka, shto kësaj edhe golin e mbrojtësit Bufasi, kanë mjaftuar për të vulosur pokerin lushnjar ndaj bregdetarëve të Vlorës. Këta të fundit kanë qenë të pafuqishëm për t’u bërë ballë vendësve, por janë nderuar me të paktën një gol, realizuar nga Prifti. Ishte kjo një betejë, që për trajnerin Sajmir Malko duhej të kishte vetëm një fund, fitoren e të tijve, ndryshe, çdo hap fals, si ai i shkuari në Mamurras, do të ishte fundi për lushnjarët. Verdhejeshilët kanë pasur një ecuri mjaft pozitive nën drejtimin e Malkos, por që nga humbja që pësuan në Kukës, fundvitin e shkuar, e cila shënoi edhe ndërprerjen e një serie fitoresh radhazi, nuk po i gjenin dot ekuilibrat e duhur. Fitorja 4-1 ndaj Vlorës duket se ka shënuar kthesën e lagunarëve, të cilët barazohen në pikë me Kukësin e vendit të dytë, ndërsa ndajnë vendin e tretë dhe të katërt me Besëlidhjen, në kuotë të barabartë pikësh. Vlora ishte një kundërshtar komod për Lushnjën, e cila ka bërë autokritikën e nevojshme para tifozëve të vet të zjarrtë , por edhe ka konsoliduar pozitat prej pretendenteje.
Besa ka vuajtur shumë, teksa është gjendur në barazim 1-1 përballë Adës, disa minuta para mbarimit të lojës, por ia ka dalë mbanë në fund, falë një goli me peshë të mbojtësit Krasniqi. Më herët i kishte zhbllokuar shifrat Ziambo, që në minutën e tetë të ndeshjes, ndërsa kishte barazuar rezultatin sulmuesi velipojak, Puka, në minutën e 55-të. Në total, kavajasit kanë mbyllur me sukses një “provë zjari” në fushën e styre me Adën. Kavajasit e trajnerit Gugash Magani duhej të përligjnin investimet e konsiderueshme të Bizhdilit, sidomos në merkaton e janarit, teksa ka afruar elementë të spikatur të futbollit shqiptar te Besa. Fakti që luanin në fushën e vet e ndihmonte jo pak skuadrën verdhezi për të marrë 3 pikët, mirëpo, kundërshtari, Ada e Velipojës, nuk duhej nënvlerësuar. Përkundrazi, me të duheshin bërë mirë llogaritë, çka e dinte mjaft mirë edhe Gugash Magani. Ashtu sikurse rezultoi, ç’është e vërteta. Trajneri verdhezi priste nga të tijtë maksimumin, si në lojë, edhe në rezultat. Gjëje të cilës ia ka arritur, edhe pse me shumë vuajtje, sikurse e thamë edhe më lart.
Derbin e Prefekturës së Elbasanit, për Kategorinë e Parë, që u luajt në Gramsh, e ka vendosur mesfushori Endri Dalipi. Goli i tij, shënuar në minutën e 86-të, ka sjellë fitoren e munguar prej kohësh të verdhebluve në transfertë, ndërsa ka shokuar vendësit, që i janë kundërvënë fuqishëm ekipit mik. Elbasani i emrit dhe traditës së mirë në futbollin shqiptar, në kërkim të identitetit të vet dhe rikthimit në Superiore, ka dëshmuar në një transfertë delikate dhe përcaktuese për vijimësinë, pra në kohën e duhur, potencialin që ka. Blerjet e janarit e kanë kompletuar edhe më formacionin e Ilirjan Files, i cili ka dalë duarplot nga “derbi” me bashkëqytetarin e tij, Edmond Mustafarajin, trajnerin e Gramshit. Me këto tri pikë, elbasanasit mbeten në korsinë e pretendentëve për një kategori më lart sezonin e ardhshëm.
Besëlidhja e Lezhës është falur shkodranit Albert Kaci, ardhur te skuadra e Ridvan Kullit në merkaton e janarit. Shtatshkurtëri, që ka provuar të luajë me disa skuadra në Shqipëri, është hedhur si zëvendësues në ndeshjen ndaj Skraparit, por ka rezultuar deciziv me dy golat e tij, duke i dhënë Besëlidhjes tri pikë të cmuara, të cilat e barazojnë atë me Lushnjën dhe Kukësin. Skrapari, një kundërshtar në dukje i lehtë për vendësit, është munduar të mbrohet dhe të mos pësojë, por qëndresa e tij ka zgjatur deri në minutën e 36-të, kur Kaci ka prishur bardhësinë e shifrave të filimit të lojës, për të dyfishuar gjithcka në minutën e 54-t. Duke parë pritshmëritë e presidencës dhe të tifozërisë lezhjane, Besëlidhja ishte e dënuar të fitonte në javën e 17-të të kampionatit, rrugë të cilin duhet ta përshkojë edhe në vazhdim. Sepse objektivi i presidentit Noka është i qartë: ngjitje në Superiore.
Në kuadrin e kësaj jave u luajtën edhe dy ndeshje të tjera, ku Iliria mundi pastër Gramozin, me rezultatin 2-0, në qytezën e Fushë-Krujës, ku është inaguruar edhe fusha e re, ndërsa në Sarandë, Butrinti vendës sfidoi pa ndonjë problem të madh Mamurrasin. Për fushë-krujasit ka shënuar Kurti, në minutën e 8-të dhe Ziri, në minutën e 66-të, me penallti, ndërsa në Sarandë, tre golat e vendësve kanë autorësinë e Alzenelit, në 17′, të Ngjelës me penallti, në 34′ dhe të kapitenit Muco, në 50′. Goli i ndetrit për miqtë u shënua nga Kadiu, pesë minuta para mbarimit të lojës.
Më poshtë, ja edhe tabela e plotë e ndeshjeve të javës së 17-të të Kategorisë së Parë:
Kategoria e Parë, java e 17-të
GRAMSHI-ELBASANI 0-1 (0-0)
Shënues: E.Dalipi 86′
Gjyqtar: L.Alla (Lushnjë)
ILIRIA-GRAMOZI 2-0 (1-0)
Shënues: Kurti 8′, I.Ziri 66′ (pen)
Gjyqtar: S.Bogdani (Durrës)
BESA-ADA 2-1 (1-0)
Shënues: Ziambo 8′, Krasniqi 84′ / Puka 55′
Gjyqtar: E.Jorgji (Elbasan)
BURRELI-KUKËSI 1-0 (0-0)
Shënues: Prela 87′
Gjyqtar: L.Jemini (Tiranë)
BUTRINTI-MAMURRASI 3-1 (2-0)
Shënues: Alzeneli 17′, Ngjela 34′ (pen), Muco 50′ / Kadiu 85′
Gjyqtar: I.Zhuli (Tiranë)
LUSHNJA-VLORA 4-1 (3-0)
Shënues: Canka 17′, 35′, 85′, Bufasi 22′ / Prifti 58′
Gjyqtar: B.Ziri (Fushë-Krujë)
LUFTËTARI-HIMARA 3-0 (1-0)
Shënues: Rraboshta 19′, 68′, Ramadani 72′
Gjyqtar: A.Kastrati (Shkodër)
BESELIDHJA-SKRAPARI 2-0 (1-0)
Shënues: Kaci 36′, 54′
Gjyqtar: E.Demiraj (Pogradec)