Pas vendimit mbi skualifikimin e Zlatan Ibrahimoviçit, i vetmi që ka lëshuar një reagim nga ana e klubit të Juventusit, ka qenë këshilltari i presidentit Andrea Agnelli, Pavel Nedved. Ish-mesfushori çek, i cili ka luajtur përkrah suedezit me fanellën bardhezi, është i dëshpëruar që një kampion si Ibra do mungojë në “San Siro”.
“Edhe pse ky fakt mund të na favorizojë, unë do kisha pasur dëshirë që Zlatan Ibrahimoviç të zbriste në fushë kundër Juventusit. Ai është një kampion i madh, i cili pavarësisht rezultatit, di t’u ofrojë sportdashësve atë ton spektakli që ata kërkojnë nga një ndeshje e madhe si Milan-Juve. Zlatanin e kam njohur personalisht dhe më vjen keq për skualifikimin e marrë, – nënvizon Nedvedi, i cili gjithsesi nuk lë pa konfirmuar faktin e arbitrimeve anti-Juve. – Jam një person që i kam thënë gjithmonë gjërat hapur dhe sot ndiej se arbitrat janë ende të kushtëzuar ndaj Juves, si rrjedhojë e skandalit “Calciopoli”. Kjo nuk është një gjë normale, ndaj të gjithë si klub pretendojmë një trajtim të barabartë”, përfundoi bjondi çek