Shevchenko, partneri i ri i Salihit


Sulmuesi i më i famshëm ukrainas, Andriy Shevchenko, pritet të vazhdojë karrierën në kampionatin amerikan të futbollit (MLS). Lajmi bëhet i ditur nga mediat në SHBA dhe Ukrainë, teksa ylli i Dinamos së Kievit ka vendosur që të shkojë në Amerikë gjatë sezonit të ardhshëm. E veçanta është se Shevchenko mund të bëhet pjesë e skuadrës DC United, ku aktivizohet aktualisht sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Hamdi Salihi.

Klubi me më shumë trofe në futbollin amerikan synon ish-lojtarin e Milanit, por më parë duhet të fitojë garën me skuadrat e tjera të MSL-së. Përveç DC United, interes konkret për ukraqinasin kanë shfaqur edhe klube të tjera, si Los Angeles Galaxy dhe New York Red Bulls. Te këto skuadra aktivizohen yje të futbollit europian, si David Beckham dhe Thierry Henry.

Megjithatë, ekzistojnë mundësi që DC United të bindë uish-milanistin, i cili do të formonte dyshen e sulmit me Salihin. Ky i fundit ka nënshkruar një kontratë 4-vjeçare për 3 milionë euro. Zyrtarisht, Salihi do të debutojë me DC United nesër, pikërisht në përballjen ndaj Sporting Kansas, që luhet në 03:00 të mëngjesit. Ndërkohë, në turneun “Korlina” të zhvilluar pak ditë më parë, Salihi shënoi dy gola, duke ndihmuar ekipin të fitojë.