Azamoah dhe Isla, dopio-blerje të Juves


Juventusi po bëhet gati t’i dhurojë dy superfutbollistë, të cilët mund të bëjnë dallimin në Champions, trajnerit Antonio Konte. Dje, drejtori sportiv i Juventusit, Xhuzepe Marota, i ka dhënë jetë sulmit të parë për Mauricio Islën dhe Kuaduo Azamoah, sulm ky i cili duket se ka përfunduar me sukses. Sipas mediave italiane, që të dy mesfushorët 23- vjeçarë janë një hap larg transferimit në Torino.
Oferta – Drejtuesit e Juventusit dhe ata të Udinezes janë takuar dje në Milano. Prezent në këtë takim kanë qenë administratori i Juves, Xhuzepe Marota dhe padroni i Udinezes, Xhino Poco. Oferta e juventinëve ka bindur që në fillim padronin friulian. Marota është ofruar të marrë në bashkëpronësi të dy mesfushorët me vlerën e 7.5 milionë eurove secilin, plus gjysmën e kartonit të Taider. Në total, ky operacion merkatoje do i kushtojë Juventusit 20 milionë euro, kur Udineze vlerësonte vetëm kartonin e njërit prej mesfushorëve të vet 20 milionë euro. Ndërkaq, klubi friulan ka kërkuar kohë për ta vlerësuar më mirë këtë ofertë. Friulanët pritet të kthejnë përgjigje në takimin e radhës, që është caktuar pas një jave, i cili mund të jetë edhe takimi përfundimtar që do transferojë në Torino Islën dhe Azamoah.
Nga Brazili – Përveç mesfushorëve të Udinezes, Juventusi ka shfaqur interesimin e vet edhe për fantazistin e Fluminenses, Uelington Nem. Talenti 20-vjeçar pritet të marrë pjesë në Lojërat Olimpike me Kombëtaren braziliane dhe aktualisht kartoni i tij vlerësohet rreth 20 milionë euro. Interesimin e Juves për të e ka bërë të ditur drejtori sportiv i klubit karioka, Sandro Lima: “Nem i pëlqen Juves dhe ne kemi diskutuar së bashku me lojtarin këtë gjë. Të shohim nëse ky interes i klubi bardhezi do konkretizohet realisht”.