Ka mbërritur diku rreth orës 11:00 në kryeqendrën e veriut, në Shkodër, për të pirë fillimisht një kafe me drejtuesit e klubit kuqeblu, në pritje të takimit me kryebashkiakun Lorenc Luka, i cili është njëkohësisht edhe president i Vllaznisë. Shpëtim Duro, ndryshe nga hera paraardhëse, ku ra dakord parimisht me klubin shkodran të futbollit, për të qenë trajner i tij në sezonin e ri futbollistik, ka zyrtarizuar gjithcka të mërkurën, duke marrë edhe mbështetjen e duhur nga numri një i Vllaznisë, sa i takon ndërhyrjes në merkato. Kanë qenë orët e mesditës, të cilat e kanë gjendur trajnerin kryeqytetas në zyrën e kryebashkiakut Luka. Ky i fundit, pasi ka firmosur kontratën me trajnerin e ri të Vllaznisë, Shpëtim Duron, e ka prezantuar atë para mediave. Duke mbajtur edhe një fjalë të rastit, e zakonshme në kësi rastesh.
Luka: Vllaznia tani do kapë majat
Kryebashkiaku i Shkodrës, Lorenc Luka, i cili është njëherësh edhe president i Vllaznisë, pasi ka bërë prezantimin e trajnerit të ri, Shpëtim Duro, i ka dhënë këtij të fundit mbështetjen maksimale. Kreu i klubit kuqeblu është i bindur se pas këtij ndryshimi në pankinë, Vllaznia do të kapë majat. “Pas gjithë këtyre diskutimeve, ne jemi këtu për të konkretizuar marrëveshjen me Shpëtim Duron. Kjo ishte kandidatura më e plotë, më e formuar, më e kualifikuar dhe me një CV shumë të mirë e premtuese. Duro ka një figurë morale dhe një ndërgjegje që na siguron se Vllaznia do të ketë suksese. Duke i kompletuar të gjitha elementet, do të theksoja se Duro është një intelektual i futbollit”,- është shprehur fillimisht Luka, teksa i është drejtuar edhe përfaqësuesve të këshillit të trajnerëve. Duke u ndalur më konkretisht te përgjegjësia që do të ketë Bashkia e Shkodrës, Luka ka folur me optimizëm për të ardhmen. “Kjo është një përgjegjësi e madhe dhe kërkon një impenjim, jo vetëm nga strukturat drejtuese, por dhe nga vetë lojtarët e Vllaznisë. Ne kemi besim te ju si këshill, pasi dini të zgjidhni në bazë të aftësive profesionale, dini të propozoni e vazhdoni të punoni me atë përgjegjësi që keni luajtur futboll dhe keni rritur emrin e kësaj skuadre. Në këtë kuadër, besoj se bashkëngjitet shumë mirë dhe trajneri Duro, që ka pasur rezultate të mira. Nga mënyra se si ai e ndërton marrëdhënien e bashkëpunimit, ne besojmë shumë se do të kemi një realitet të suksesshëm te Vllaznia. Këtë e presim ne si institucion përgjegjës dhe tifozët. Unë i uroj mirëseardhjen trajnerit Duro dhe e siguroj se do të ketë mbështetjen maksimale. I sugjeroj të bashkohet me shpirtin e një tifozi shkodran dhe të një qytetari”,- ka përfunduar kreu i Bashkisë së Shkodrës.

Pas disa ditësh zvarritjeje, më në fund Shpëtim Duro është prezantuar dje para mediave si trajneri i ri i Vllaznisë. Në konferencën për shtyp, të zhvilluar në ambientet e Bashkisë së Shkodrës, Duro ka thënë para kryebashkiakut Lorenc Luka se objektivi i tij primar është pjesëmarrja e Vllaznisë në kupat e Evropës. Për ambiciet e tij, merkaton, por jo vetëm, Duro ka folur me sinqeritet para gazetarëve të shumtë shkodranë.
Jeni zyrtarisht trajneri i ri i Vllaznisë. Përshtypja e parë?
Sigurisht që dita e parë e prezantimit është shumë e bukur dhe unë shpresoj që të vazhdohen këto ditë të bukura gjatë gjithë sezonit. Falënderoj Bashkinë për besimin që më dha për drejtimin e skuadrës, stafin drejtues dhe pa dyshim “këshillin e trajnerëve”, që mesa di kanë qenë dakord unanimisht që unë ta drejtoj Vllazninë. Kjo më ka kënaqur, pasi më vlerësuan figura të njohura të futbollit shkodran. Kam drejtuar prej 15 vitesh shumë skuadra, por e them me bindje se të drejtosh Vllazninë është një përgjegjësi e madhe. Kjo detyrë është një vlerësim i jashtëzakonshëm që më është bërë.
Çfarë ka të veçantë ky klub sipas jush?
Drejtimi i Vllaznisë është një përgjegjësi e madhe dhe këtë e them me sinqeritet. Që të marrësh këtë vendim, duhet të jesh shumë i kujdesshëm për sa i përket anës profesionale. Më pëlqente shumë Vllaznia, pasi është një nga skuadrat më me traditë të futbollit shqiptar. Personalisht, kam pasur sfida shumë të vështira dhe normalisht kam bërë mirë me të gjitha skuadrat që kam qenë. Shpresoj që bashkëpunimi të jetë sa më i gjatë dhe rezultativ. I vetëm nuk mund t’i bëj të gjitha, kështu që duhet të ketë funksionim të të gjitha hallkave. Jam i hapur për çdo bashkëpunim, në mënyrë që Vllaznia të arrijë synimet.
A keni marrë garanci financiare për blerjet?
Nga bisedat që kam bërë, kjo ishte edhe arsyeja pse kam marrë këtë drejtim, pasi mendohet se do të jetë një skuadër me objektiva madhorë. Kjo më ka dhënë garancinë që skuadra të ndërtohet me lojtarë cilësorë. E kam thënë edhe përpara drejtuesve të Bashkisë që kemi nevojë për 8 futbollistë. Jo se unë erdha për të larguar lojtarët, por duhen përforcime. Dihet që 6 lojtarë të huaj janë larguar dhe nuk janë pjesë e ekipit. Normalisht që nevojiten së paku 6 të tjerë për të plotësuar ekipin. E rëndësishme është që të bëjmë afrime cilësore.
E ndjeni se është shumë e vështirë që të afrohen lojtarë, të cilët bëjnë diferencën te Vllaznia?
Tregu shqiptar dihet. Të them të drejtën, duke pasur eksperiencën me skuadra që kam ndërtuar rishtas, si Besa apo edhe Skënderbeu, mendoj se punët më kanë shkuar mirë. Vështirësi ka, pasi ka dhe skuadra të tjera që konkurrojnë. Do të mundohemi të bëjmë më të mirën e mundshme, pasi nuk është vetëm ana financiare që ndikon, por gjetja e duhur e futbollistëve për të arritur objektivat.
Çfarë objektivash keni realisht për sezonin e ri?
Objektivi kryesor që kam marrë sot është pjesëmarrja në kupat e Evropës. Normalisht, një ekip që kërkon Evropën do të jetë edhe pretendent për të marrë trofe. Objektivin më të qartë do ta japim pas një muaji, kur dhe do të jetë ndërtuar skuadra.
Vllaznia vjen pas një sezoni të dështuar. Çfarë garancie jepni?
Kjo është në varësi të ndërtimit të skuadrës. Është shumë i rëndësishëm elementi që do të kemi në dispozicion, kur të ndërtojmë ekipin, pastaj është përgjegjësi e imja arritja e rezultateve. Tashmë nuk mund të flas konkretisht pa bërë ekipin.
Është folur shumë për interesimin ndaj Shkëmbit…
Të kuptohemi, unë mund të paraqes një listë që ndoshta nuk realizohet 100%. Si dëshirë është e imja dhe nuk e mohoj, por unë nuk flas për vlerën financiare, por nga ana profesionale. Sesa realizohet kjo, mbetet për t’u parë. E theksoj, mund të kem shumë dëshira, por nuk dihet se sa mund të realizohen ato.
A keni ndonjë emër konkret që mund ta bëni publik?
Duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi kampionati fillon më 1 shtator. Për sa i përket anës përgatitore, ka kohë të mjaftueshme, pasi kemi dhe tre muaj në dispozicion. Por, ka diçka, sepse duhet të pranojmë që jemi vonë në ndërtimin e skuadrës. Unë nuk do të deklaroj emra lojtarësh, pa firmosur kontratën me klubin. Kur lojtari që ne duam do të firmosë, atëherë mund të them që është pjesë e Vllaznisë. Ka edhe pak kohë, pasi katër skuadra janë pjesëmarrëse në kupat e Evropës. Besoj se ekipi do të riformohet nga 10 korriku, dhe ajo që mund të them është se ne interesohemi për elementë nga Tirana, Skënderbeu, Teuta dhe Flamurtari.

Legjenda e futbollit shkodran, Ramazan Rragami, në emër të anëtarëve të këshillit të trajnerëve pranë klubit Vllaznia, ka vlerësuar maksimalisht përzgjedhjen e Shpëtim Duros. Sipas tij, emërimi në pankinë i Duros, i hap rrugën një punë intensive dhe serioze te skuadra shkodrane. Ndërkohë, ashtu si vetë kreu i klubit Lorenc Luka, edhe Rragami, në emër të këshillit të trajnerëve, i shprehu mbështetjen maksimale teknikut tiranas. “Dua të falënderoj presidentin e Vllaznisë, Lorenc Luka, për zgjedhjen që ka bërë, por edhe për gjithë këtë maturi që ka treguar në vendosjen e trajnerit Shpëtim Duro. Po ashtu, dua të falënderoj zotin Luka për mbështetjen që ka treguar për këshillin e trajnerëve, për të sugjeruar trajnerin e duhur, që sigurisht edhe për ne është një përgjegjësi më e madhe, qoftë sportive, por edhe qytetare. Mendoj se edhe trajneri Duro është matur maksimalisht për të ardhur në Shkodër e për të treguar vlerat e tij. Ndaj, unë dua t’i uroj suksese trajnerit të ri, duke pasur parasysh që do të ketë dhe mbështetjen tonë të madhe. Jam i bindur se falë bashkëpunimit që do të kemi, Vllaznia do të jetë aty ku i takon dhe ku tifozët e dëshirojnë”,- është shprehur legjenda e futbollit shkodran. Bashkë me figura të tjera të Vllaznisë ndër vite, Rragami bën pjesë në këshillin e trajnerëve, të krijuar së fundmi nga drejtuesit e Vllaznisë.
Buxheti i klubit, ende pezull
Trajneri Shpëtim Duro deklaroi se ka marrë garanci të plotë nga ana e drejtuesve të klubit shkodran për sa i përket anës financiare. Megjithatë, ende nuk dihet se sa do të jetë buxheti për sezonin e ri. Klubi shkodran financohet nga Bashkia dhe kjo e fundit ka hasur jo pak vështirësi për gjetjen e shumave që kërkohen për ndërtimin e një skuadre pretendente. Kreu i klubit, Lorenc Luka, gjatë konferencës për shtyp nuk foli për anën financiare, por gjithsesi garantoi trajnerin e ri se do t’ia plotësojë të gjitha kushtet. Duro ka kërkuar 8 blerje cilësore, të cilat sigurisht që pritet të kenë një kosto të madhe financiare.