Morati, presidenti i Interit akuzohet për “spiunazh”

Interi kishte një dosje për ish-arbitrin Masimo De Santis. Këtë e ka konfirmuar në gjyqin për çështjen e dosjeve ilegale Xhuliano Tavaroli, ish-kreu i sigurisë së “Telecom”-it dhe “Pirelli”-t. Ai ka konfirmuar se e ka marrë kërkesën drejtpërdrejt nga presidenti i Interit, Masimo Morati, për t’u kujdesur për “Hajdutët” që ka lidhje në veçanti me arbitrin e ndeshjes: “Morati më kërkoi të përgjoja telefonatat e De Santisit”.
Për Interin - Tavaroli ka saktësuar se kërkesa e bërë nga Morati ishte për Interin, duke shtuar gjithashtu se ka pasur kontakte me Xhaçinto Faketin për detajet organizative. Në këtë dosje, sipas ishkreut të sigurisë, figuronin 4 emra të tjerë, ku përfshihen edhe ata të ish-drejtorit sportiv të Mesinës dhe Xhenoas, Marano Fabiani, si dhe të arbitrit anësor Enriko Çenikola.
Çështja - Faktet kanë ndodhur në fillim të vitit 2003, kur mes të përbalturve të Tavarolit ka përfunduar edhe Bobo Vieri, i cili në atë kohë ishte sulmuesi i zikaltërve. Ndërkohë, De Santis ishte i dyshuar se “dëmtonte” Interin dhe favorizonte Juventusin. Arbitri ka denoncuar se ndiqej dhe kontrollohej nga Tavaroli dhe nga pjesa tjetër e sigurisë së “Telecom”-it duke paraqitur një kërkesë për dëmshpërblim prej 21 milionë eurosh. 
Investiguesi - Për dosjen “Hajdutët” ka folur në 2006- ën edhe Emanuele Cipriani, hetues privat, që tani është i pandehur në gjyqin milanez me disa dhjetëra njerëz të tjerë. “Tavaroli më tha vetëm se De Santis ishte një arbitër që me shumë mundësi merrte para dhe se duheshin kontrolluar disa shoqëri sportive në Kalabri për të verifikuar një lidhje të mundshme me arbitrin, – ka deklaruar atëherë Cipriani. – Kjo detyrë m’u dha nga Tavaroli te ‘Pirelli’ dhe unë ia faturova kësaj shoqërie”.