Fanellat e përfaqësueseve – helmuese


Nëntë nga 16 kombëtaret pjesëmarrëse në ‘Euro 2012’, bashkë me tifozët e tyre, do të veshin fanella që përmbajnë substanca toksike, përfshirë plumbin, ka raportuar shoqata evropiane ‘Konsumatori’.
Fanellat e rrezikshme, të cilat assesi nuk duhet të puthen në rast të festimit të golit, pritet të jenë ato të Francës, Spanjës dhe Gjermanisë, që përmbajnë plumb.
Një nga stereotipat e festimit në futboll, puthja e stemës së fanellë, mund t’i takojë së shkuarës, pasi është zbuluar se jo më pak se nëntë shtete pjesëmarrëse në ‘Euro 2012’ do të veshin fanella që kanë përmbajtje toksike.
Shoqata evropiane ‘Konsumatori’ – BEUC ka lëshuar një këshillë për adhuruesit, të cilët blejnë fanella të kombëtareve që i simpatizojnë, se mund ta rrezikojnë shëndetin e tyre, duke shtuar se fanella e Polonisë është aq e dëmshme, sa që duhet të ndalohet të vishet.
BEUC, grup që përfaqëson në një çati organizatat e konsumatorëve të të gjithë Evropës, ka tërhequr vërejtjen se në hulumtimet e tyre kanë zbuluar substanca kimike që gjenden kryesisht në stemat e fanellave të kombëtareve të Polonisë, Spanjës, Gjermanisë, Rusisë, Ukrainës, Italisë, Francës, Holandës dhe të Portugalisë.
Rezultati ka treguar se të nëntë kombëtaret kanë fanella me nivel të lartë të kimikaleve. Plumbi, hekur i rëndë, është zbuluar në fanellat e gjashtë kombëtareve – Spanjës, Gjermanisë, Ukrainës, Rusisë, Francës dhe të Italisë.
Në fanellat e Spanjës dhe të Gjermanisë niveli i plumbit është i pranueshëm, sepse është i barabartë me produktet e fanellave për fëmijë, kurse fanellat e Portugalisë dhe Holandës po ashtu përmbajnë nikel.
“Fanellat e vendit mikpritës, Polonia, duhet të ndalohen që të shiten në shitore, sepse përmbajnë organonin, një komponim që përdoret për t’u mbrojtur nga materiet aromatike, dozë që e tejkalon limitin legal të përdorimit. Organotina është një toksik që ndikon në sistemin nervor”, thuhet në një deklaratë të BEUC.
Një tjetër materie kimike, ‘nonylphenol’, e cila është e ndaluar ngase është substancë e fabrikuar dhe ka efekte të dëmshme për ambientin, është gjetur në fanellat e Spanjës dhe të Italisë.
“Tifozët e futbollit duhet t’i paguajnë 90 euro për fanellat e skuadrave të tyre të preferuara. Së paku, ata duhet të presin që të kenë një produkt të sigurt dhe kualitativ. Është e papranueshme që metalet e rënda të përdoren në një masë aq të madhe në këto produkte. Është e qartë se kjo lojë e ndyrë nga prodhuesit, duke përdorur këto substanca, jo vetëm që dëmton njerëzit, por edhe natyrën. Testet e stafit tonë rezultojnë jo të mira dhe rikujtojmë që ligji për përdorimin e kimikaleve në Evropë është i papërdorshëm për ndalimin e këtyre substancave të rrezikshme në prodhimet për konsumatorin”, thotë drejtoresha gjenerale e BEUC, Monique Goyens.
Tani BEUC bën thirrje që ligji për përdorimin e kimikaleve në BE të rishikohet në mënyrë që të ndalohen këto substanca të dëmshme toksike, që ndryshe njihen si ‘koktele kimikale’ në produktet e tekstilit. Zonja Goyens thotë se planifikon të përballet me ‘kimikalet e parregullta-endokrine’, që do të jetë një mundësi për BE-në ta lansojë një fushatë kundër kësaj dukurie.