Portieri durrsak, Bledian Rizvani, nuk është më pjesë e Teutës. Lajmi është konfirmuar dje në mbrëmje nga vetë 26-vjeçari. Pas largimit të mbrojtësit Tefik Osmani, tashmë Rizvani bëhet i dyti që “divorcohet” me Teutën. “Klubi më propozoi rinovimin e kontratës, por unë nuk pranova të njëjtat kushte. Kësisoji, nuk do të jem më pjesë e Teutës. Tashmë jam një lojtar i lirë dhe do të shikoj për mundësi të tjera. I uroj suksese ekipit durrsak”,- është shprehur portieri për “Panorama Sport”. Klubi i Teutës duhet të mendojë për zëvendësuesin e Rizvanit në portë.Kapiteni - Arjan Sheta është veterani i Teutës. I vendosur në qendër të mbrojtjes, ai dha shembullin jo vetëm të kapitenit, por edhe futbollistit me përvojë që nuk gabon lehtë. Teuta është e para nga ekipet e Superiores që nisi stërvitjet që më 4 qershor dhe synon që edhe sezonin e ri të përsërisë vetveten, por me ndryshimin e disa gabimeve të vogla që i hoqën në fund titullin. Për këto më mirë se cilido shprehet pikërisht Sheta. “Pas një kampionati të lodhshëm dhe të ngarkuar, na është dashur të pushojmë disa ditë. Por, tani duhet të shfrytëzojmë çdo minutë, pasi këtë vit marrim pjesë në kompeticionin e Ligës së Evropës”, thotë fillimisht Sheta. Më pas ai qartëson disi edhe pozitën e tij në skuadër, duke qenë se edhe atij i ka përfunduar kontrata. “Jam në pritje të takimit me presidentin Hasanbelliu. Kam pasur rastin ta shfaq edhe në raste të tjera dëshirën për të qëndruar te Teuta dhe këtë e them se jam ndierë i vlerësuar në këtë ekip, kundrejt edhe përpjekjeve të mia për ta justifikuar qëndrimin këtu” – përfundoi Sheta.