Pritja ka marrë fund, që nga dita e djeshme ka startuar kampionati evropian i futbollit në Poloni dhe Ukrainë. Kombëtarja italiane do të debutojë të dielën në orën 18:00 ndaj Spanjës, por ndërkohë portieri i Axurrëve, Gianluigi Buffon, ka shprehur ndjesitë dhe emocionet e tij nëprag të sfidës.
"E kam shumë për zemër, shpresoj dhe besoj se mund t’ia dalim… Ajo për të cilën jam i bindur, është se do të jepja 2-3 vite jetë që Italia ta fitonte këtëkompeticion. Ne të gjithë e ëndërrojmë një gjë të tillë. Të gjithë duam tashohim Italinë në festë, të shohim njerëzit që ndihen krenarë për kombëtaren e tyre, të shohim ngjyrat tona të valëviten në majë. Do të ishte dhurata më e bukur për këtë fundsezoni", u shpreh gardiani i portës së Italisë.
"Më në fund ka filluar Euro 2012 dhe pritja e bezdisshme që ndjenim të gjithë në prag të fillimit të kompeticionit besoj se ka kaluar. Kam pak frikë dhe kuriozitet për ndeshjen tonë, por është e justifikueshme. Është njësoj si të përgatiteshim, pas dy vitesh punë, për një provim. Ne të gjithë e dimë se çdo provim i rëndësishëm përmbledh në vetvete vështirësi dhe probleme. E rëndësishme është të kesh studiuar, por aspekti që ka më shumë vlerë, është që t’i largosh emocionet dhe të kesh një gjendje fizike dhe psikologjike për t’u pasur zili", vijoi më tej Buffon.
Kapiteni i "Axurrëve" në fund ka lëshuar edhe një apel tifozëve të Italisë: "Mbështetja e tifozëve dhe afeksioni i tyre do të jetë vendimtar dhe do ishte sinjali më i fortë kundrejt atyre që duan të krijojnë fraktura mes nesh dhe mbështetësve tanë. Shpresoj që ata të fillojnë të arsyetojnë me kokën e tyre, duke uruar që të mos ndikohen nga askush. Ne do të bëjmë detyrën tonë, do të japim maksimumin, për këtë gjë askush nuk duhet të ketë dyshime. Shpresojmë që kjo të mjaftojë, përndryshe do të duartrokasim për fituesin dhe për ata që janë treguar më të zotët. Sporti është kompeticion dhe në çdo eveniment të tillë duhet respektuar beteja për fitoren dhe rivalët më të fortë. Ne jemi gati të luftojmë, por me tifozët në krah".