Supersfida që pritet të dhurojë gola

Sot në mbrëmje, në orën 20:45 luhet një prej ndeshjeve më të shumëpritura të Euro 2012, Gjermani-Portugali. Ndeshja e vlefshme për Grupin B pritet të dhurojë spektakël, kjo edhe për emrat e futbollistëve që posedojnë të dyja skuadrat.


GJERMANIA - Kombëtarja e trajnerit Joachim Loew është cilësuar si favoritja kryesore për të triumfuar në "Euro 2012″, ndonëse janë në grupin "e Ferrit", me kundërshtarë si Portugalia, Hollanda dhe Danimarka. Arma më e fortë e gjermanëve është produktiviteti në sulm. Loja bazohet te shpejtësia (kundërsulmet) e lojtarëve si Muller apo Podolski, finalizimi i Gomez apo Klose, por edhe te asistet e Ozil. 

Një kombinim i disa taktikash për të shënuar, duke u përshtatur edhe me filozofinë që ka kundërshtari. Gjermanët kanë arritur të jenë mjaft produktivë para portës ndërsa, në pesë ndeshjet e fundit, kanë shënuar 12 herë. 

Gjithsesi, nuk mungojnë as shqetësimet për teknikun Lëv, pasi reparti i mbrojtjes ka treguar probleme serioze. Pikërisht, në pesë takimet e fundit, ata kanë pësuar plot 10 gola, pesë prej të cilëve ndaj Zvicrës. Badstuber dhe Mertesacker treguan se vuajnë ndaj futbollistëve të shpejtë dhe ndaj Portugalisë do të kenë jo pak shqetësime nga Nani apo Crisatiano Ronaldo. 


PORTUGALIA - Paulo Bento ka ndryshuar komplet filozofinë e lojës së portugezëve, duke i kthyer të gjithë në mbrojtje dhe duke tentuar golin me kundërsulme dhe me vetëm një sulmues, Postiga dhe dy mbështetës, Nani dhe Ronaldo. Kjo u ka dhuruar mundësinë që të zbehin ndjeshëm rrezikshmërinë për të pësuar gol, madje në pesë ndeshjet e fundit, tre prej tyre i kanë përfunduar në barazim pa gola. Por, ky tregues nënkupton gjithashtu që me taktikën e re zbehet edhe mundësia për të shënuar. 

PARASHIKIMI - Duke ditur që kemi të bëjmë me skuadra që kanë sulm të rrezikshëm dhe mbrojtje problematike, pret që të shënohen të paktën tregola. Për sa i përket suksesit, gjermanët janë pa diskutim të favorizuar ndjeshëm, madje që në pjesën e parë.